Hajro Limaj*

Drejtor i Insitutit të Politikave të Sigurisë Kombëtare

Drejtor i Institutit të Politikave të Sigurisë Kombëtare

Përpara dhe pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO janë hartuar dhe miratuar me dhjetëra ligje për ndërtimin,funksionimin dhe kontrollin e Forcave të Armatosura. Por çuditërisht edhe pse ligjet janë në fuqi ato shkelen me ndërgjegje të plotë nga ministrat e mbrojtjes dhe shefat e shtabit të përgjithshëm,kryesisht në dhënien e gradave madhore të gjeneralit dhe në mos zbatimin e VKM Nr.194,të datës 4 Mars 2015 “Për njësimin e gradave ushtarake me funksionet organike në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Kushdo studiues vendas apo i huaj,vetëm duke hyrë në sitet e ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm,tre komandave të Forcave të Armatosura dhe dy komandave mbështetëse kupton me një herë se si shkelen me të dy këmbët ligji për gradat madhore dhe Vendimi i këshillit të Ministrave për njësimin e gradave të ushtarakëve me funksionet organike. Për këtë anomali dhe pa përgjegjshmëri të këtij dikasteri,mban përgjegjësi direkte edhe kryeministri e presidenti në emërimet që kanë miratuar sipas propozimeve të ministrave të mbrojtjes.

Konkretisht:

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm duhet të jetë me gradën gjeneral lejtnant (OF8).Pra ai vjen në këtë funksion mbasi ka kaluar në detyra më të ulëta gradën e parë të gjenerali; gjeneral brigade dhe gjeneral major. Ndërsa aktualisht ne kemi shefin e shtabit të përgjithshëm ,i cili ditën që mori gradën e parë të gjeneralit u emërua direkt shefi i shtabit të përgjithshëm. Pra janë shkelur haptazi ligjet dhe procedurat e gradimeve dhe funksioneve. Shefi i shtabit të përgjithshëm duhet të ketë patjetër gradën më të lartë në çdo kohë në forcat e armatosura. Por çudia shqiptare vazhdon. Ai gjeneral me një yll kërkon të komandojë vartësit e tij që janë gjeneral me dy yje,me nga një gradë më të lartë. Le të më gjejnë një vend të NATO-s mua që aplikon këto anti rregulla dhe anti ligje.

Ligjërisht komandanti i Forcave Detare duhet të jetë gjeneral me një yll dhe patjetër ushtarak i arsimuar dhe kualifikuar për drejtimin e këtyre forcave. Aktualisht në këtë komandë janë shkelur dy ligje. Komandanti nga një yll që duhet të ketë është me dy yje, nënadmiral, dhe më e madhja nuk është fare i forcave detare por i sjellë nga forcat tokësore. Ai mban veshur uniformën e forcave detare,ndërsa paletat me gradat e ka të forcave tokësore. Me gradën që ai ka ligjërisht duhej të ishte komandanti i Forcave Tokësore ose zëvendës shef i shtabit të përgjithshëm.

Kohët e fundit komandanti i Doktrinave dhe Stërvitjes është emëruar një mjek ushtarak. Është në kuptimin e plotë fatkeqësi kombëtare të tallesh me mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare. Komisioni i karrierës së gradave madhore hap konkurrim vetëm për ato pozicione gjeneralësh që lindin nevojat kohore. Në Vendimin e Këshillit te Ministrave nuk pasqyrohet në asnjë vend nevoja e gradës së gjeneralit në shërbimin shëndetësor. Atëherë Zonja Kodheli si e listoi në këtë komision dhe si ia relatoi dhënien e gradës madhore të gjeneralit. Por shkelja flagrante e ligjit nuk përfundon këtu. Atë ministrja Xhaçka e propozoi tek kryeministri për komandant të komandës së Doktrinave ushtarake dhe të Stërvitjes. Si mund të drejtojë dhe të kontrollojë doktrinat dhe stërvitjet ushtarake një doktor, mjek?!. Ku është parë dhe është dëgjuar një praktikë e tillë. Mirë që ne kemi një ushtri tepër simbolike, por fatkeqësia më e madhe është se edhe për stërvitjen, përgatitjen dhe drejtimin e saj ligjor politikanët e fushës së mbrojtjes tallen. Si institute në para tre muajsh i jemi drejtuar me shkrim ministres Xhaçka, para 2 muajsh kryeministrit, ndërsa para një muaj komandantit të përgjithshëm, Zotit Meta. Heshtja dhe mos reagimi kërkojnë publikimin dhe vlerësimin e opinionit publik, i cili paguan taksat për të zbatuat ligjet e vendit.

Kolonel (R)

Ish-atashe ushtarak në Republikën e Turqisë dhe këshilltar i ministrit të Mbrojtjes.