Mbi 10 mijë metra katrorë pyje janë dëmtuar dhe tjetërsuar në mënyrë të paligjshme në masivin pyjor pranë Kishës së Shna Ndout në Laç. Ky është denoncimi i bërë nga opozita në Këshillin Bashkiak të Kurbinit, e cila ngre alarmin për atë që e cilëson si një masakër mjedisore të paprecedentë.
“Është hapur një rrugë rreth 3 kilometra në zemër të një zone me vlera të mëdha natyrore e historike. Këtu është shkatërruar fondi pyjor, pa asnjë leje dhe me heshtjen totale të institucioneve. Kërkojmë ndërhyrjen e SPAK dhe hetim të thelluar për këtë krim mjedisor.”, thotë Albert Ndoci, anëtar i Këshillit Bashkiak Kurbin
Përfaqësuesit e opozitës theksojnë se ndërhyrja ka ndodhur pranë një zone me rëndësi të veçantë historike, aty ku dikur ndodhej qendra e vjetër e Sebastias. Ata thonë se, pavarësisht kërkesave të bëra zyrtarisht në Këshillin Bashkiak për të ndalur shkatërrimin, kanë marrë vetëm heshtje si përgjigje.
Por në një reagim për Report TV, Bashkia e Kurbinit jep një tjetër version të situatës. Ajo konfirmon se ka pasur një ndërhyrje të paligjshme në masivin pyjor në zonën e Milotit, përmes hapjes së rrugëve dhe mbushjes me dhe. Sipas institucionit vendor, kjo është konstatuar nga inspektori i pyjeve dhe është dërguar menjëherë për ndjekje penale.
Në përgjigjen për Report Tv, Bashkia nuk jep shpjegime për autorët e mundshëm, ndonëse duket e habitshme, që një ndërhyrje e përmasave të tilla, të jetë realizuar në fshehtësi. Çështja është tashmë në duart e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Lezhë, e cila ka nisur hetimet për të zbuluar përgjegjësit dhe qëllimin e ndërhyrjes në këtë territor të mbrojtur pyjor. Qytetarët dhe ekspertët e mjedisit kërkojnë transparencë dhe ndëshkim të shpejtë për autorët e kësaj ndërhyrjeje, që jo vetëm dëmton natyrën, por prek edhe simbolet e trashëgimisë kulturore e shpirtërore të zonës.