Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore thotë se drejtuesja e AKM-së, Arta Dollani është thirrur në Prokurorinë e Posaçme. Sipas postimit, shefja e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit është thirrur për dosjen e korrupsionit te Universiteti Bujqësor.
Forumi shkruan se Arta Dollani është një ndër njerëzit me të besuar të ministres Mirela Kumbaro dhe ka firmosur disa akte të rëndësishme, që nga prishja e Teatrit Kombëtar, fasada e stadiumit kombëtar, rasti i Butrintit, Bylisit, etj.
„I urojme znj. Arta Dollani nje perballje dinjitoze ne zyrat e SPAK. Edhe pse e marre nen hetim per ceshtjet e korrupsionit ne Fakultetin Bujqesor dhe çështje të tjera te mjedisit mund te themi se znj.Dollani ka qene per disa vjet ne krye te Institutit te Monumenteve.
Duke qenë firma e besuar e Ministres Kumbaro ajo ka firmosur prishjen e Teatrit Kombëtar, fasadën e Stadiumit Kombëtar dhe një sërë vilash historike, bashkëfajtore në çështjen e Butrintit, Bylis e shumë e shumë raste të tjera të shkatërrimit të Trashëgimisë Kulturore“, thuhet në postim.
Javë më parë, Prokuroria e Posaçme njoftoi se hetimet e nisura në Tetor 2022 zbuluan një skemë të mirëorganizuar, në të cilën zyrtarë të nivelit të lartë akademik, përfshirë 2 zëvendësrektorët Ilir Kapaj e Romina Kotaj, dhe administratorin, Edmond Tërthorja në bashkëpunim me biznese manipuluan procesin e prokurimeve publike.
Ata kanë favorizuar firmat “Krijon” sh.p.k, “Zero Group” sh.p.k dhe “Malvina Visoka PF”. Bëhet fjalë për 9 procedura tenderimi, të zhvilluara në vitin 2022, me një vlerë prokurimi prej 900 mijë eurosh. Hetimet zbuluan se këto firma bënin oferta fiktive në emër të bizneseve të tjera për të fryrë vlerën e tenderave.