Më 25 korrik 2025, Lefter Koka, në një seancë me dyer të mbyllura dhe larg syrit të medias, mori nga Gjykata e Durrësit vendimin për liri me kusht për një dënim 6 vite e 8 muaj burg (me gjykim të shkurtuar) për inceneratorin e Elbasanit. Për këtë dënim, i vetmi që ka marrë formë të prerë, nga tre të aferës së inceneratorëve, ish ministri i Mjedisit ndodhet në burg që prej 14 vjetorit 2021, dhe bashkë me paraburgimin i kishin mbetur më pak se një vit e gjysmë.
Për të marrë lirimin me kusht nga gjyqtari i Durrësit Xhevdet Lika, si gjykata kompetente për shkak të vendit ku Lefter Koka vuan dënimin, ish ministrin e mbështeti edhe prokurori i Durrësit Gëzim Çopja, i cili ishte dakord me kërkesën dhe nuk bëri asnjë ankim në Apel. Më herët në GJKKO Lefter Koka ka marrë shuarjen e masës së sigurisë “arrest me burg” për inceneratorin e Tiranës, pasi dënimi i marrë me 2 vite burg për “shpërdorim detyre” në shkallë të parë është ezauruar me paraburgim.
Për të dalë nga qelia dhe më në fund për të fituar lirinë pas 4 vitesh në burg (që prej 14 dhjetorit 2021), ish ministrit të Mjedisit Lefter Koka i mbetet edhe një pengesë e fundit, dënimi për inceneratorin e Fierit. Për këtë aferë ai është dënuar me 6 vite e 8 muaj burgim nga shkalla e parë, ndërsa çështja është tashmë sërish në Gjykatën e Apelit, ku e risolli Gjykata e Lartë përmes një vendimi vetëm pak ditë më parë.
LEXO EDHE:
Lezhë/ Konfiskohen 7 pasuri me sipërfaqe mbi 15 mijë metër katror me urdhër të GJKKO, u përfituan nga veprimtari kriminale
Lefter Koka kërkon shuarjen e masës së sigurisë “arrest me burg” edhe për këtë dosjes, me argumentin se ka kaluar afati 3-vjeçar i paraburgimit, maksimali që mund të mbahet dikush në masë sigurie pa një vendim të formës së prerë.
Kërkesën e Kokës GJKKO do ta shqyrtojë më 24 tetor, datë në të cilin ish ministri mund të lirohet nëse merr vendim pozitiv nga togat e zeza.
Do të mbetet për t’u parë qëndrimi i prokurorëve të SPAK në gjykatë, ndërsa burime për Report Tv kanë bërë me dije se ‘thembra e Akilit’ në të gjithë këtë histori mbetet vendimi i Durrësit për liri me kusht, që sipas prokurorëve të posaçëm nuk mund të bëhej para se të kishte bashkim dënimesh, kur të tria të merrnin formë të prerë.






HINTERLASSE EINEN KOMMENTAR
Du musst angemeldet sein, um einen Kommentar abzugeben.