Vlorë - Një ngjarje e paprecedentë është shënuar në zonën e Llogarasë, ku 22 kuaj janë qëlluar me armë gjahu në afërsi të “Gropave të Pirit”, duke shkaktuar një masakër të vërtetë ndaj kafshëve të pambrojtura. Pamjet e siguruara nga Report TV tregojnë se kuajt kanë plage në trup, të shkaktuara nga saçmet.
Sipas banorëve të zonës dhe aktivisteve, 4 kuaj kanë ngordhur menjëherë nga plagët, disa janë plagosur rëndë dhe kanë nevojë për trajtim veterinar, ndërsa pjesa tjetër është fshehur në pyjet e Karaburunit dhe ende s’janë gjetur. Kjo është barbari e ushtruar ndaj tufës së kuajve, të cilët lëviznin të lirë në këtë zonë malore. Disa prej tyre përdoreshin për shëtitjen e turistëve.
Burimet thanë se autorët mund të jenë gjahtarë të paligjshëm ose persona të përfshirë në konflikte për konkurrencë, ndërmjet guidave turistike. Megjithatë pritet për t’u verifikuar, pasi policia ende nuk ka identifikuar autoret.
Ndërsa aktivistët për mbrojtjen e kafshëve kërkojnë masa ligjore, që parandalojnë akte të tilla mizore.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum referuan materiale në Prokurori dhe po punojnë për identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes, pasi ditën e djeshme, shtetasi K. K., banues në Orikum, ka bërë kallëzim se në malin e Llogarasë, ku mban të lëshuar një tufë me kuaj, ka konstatuar se dy prej tyre kanë pësuar dëmtime, dyshohet nga armë gjahu", informoi sot policia.
https://shqiptarja.com/lajm/vlore-krim-mostruoz-ne-llogara-gjuetaret-qellojne-me-cifte-tufen-e-kuajve-shkak-dyshohet-dyshohet-konkurrenca-mes-pronareve-te-guidave