Me shtimin masiv të turistëve gjatë viteve të fundit, përveç bumit për të shijuar natyrën mbresëlënëse të detit dhe alpeve shqiptare, një tjetër lloj “turizmi” sa vjen e lulëzon. Vajza të huaja, kryesisht latine dhe kineze, e kanë kthyer në një biznes fitimprurës ofrimin e shërbimeve seksuale kundrejt pagesës në Shqipëri. Qarqet kryesore ku ky fenomen është hasur më shpesh nga autoritetet janë kryeqyteti dhe zonat bregdetare, aty ku janë kryer goditjet nga ana e bluve.

Referuar të dhënave nga Policia e Shtetit, nga janari deri në mesin e korrikut, u zhvilluan të paktën 15 operacione për goditjen e rrjeteve të prostitucionit. Të paktën 22 persona tutorë u arrestuan dhe 11 të tjerë u shpallën në kërkim. Ata rrezikojnë nga 2 deri në 5 vjet burg. Përveç tyre, në hetim në gjendje të lirë u morën gati 100 vajza të huaja, të cilat shfrytëzoheshin për prostitucion. Edhe ato rrezikojnë ndëshkim ligjor, nga gjobë deri në 3 vjet burg.

Gjashtë raste me hetim të thelluar u finalizuan në Tiranë, 5 në Vlorë, 3 në Durrës dhe 1 tjetër në Korçë. Goditja më e rëndësishme u bë gjatë muajit mars në Tiranë nga Antitrafiqet, në operacionin “Orkidea”, ku me vendim gjykate u ekzekutua urdhri për 11 masa sigurie “arrest në burg”, me 44 vajza në hetim në gjendje të lirë. Përgjithësisht, vajzat që merren në hetim, japin deklarime dhe nuk pengohen për të lëvizur. Por nuk do të ishte për t’u habitur, nëse do të gjendeshin duke e ushtruar sërish aktivitetin.