Typische Berisha Art des SHIK, morden, foltern, Tropojaner Banden
“I lidhën me tela me gjëmba e i tërhoqën zvarrë”/ Krimi makabër në ’97, prokuroria jep pretencën për kreun e ‘Bandës së Vakëfit’
Prokuroria Berat ka kërkuar 25 vite burg për shtetasin Byniamin Hajro, i njohur si Bujo Çami për ‘Vrasje me paramendim’ ndaj dy personave, në vitin 1997, një krim makabër që tronditi vendin pasi viktimat u dogjën të gjallë.
Hajro njihet si kreu i Bandës famëkeqe të Vakëfit.
Më gusht 2019, Byniamin Hajro u ekstradua nga Gjermania pas 21 vitesh në kërkim nga autoritetet shqiptare. Hajro ka qenë në listën e 16 personave më të kërkuar në qytetin e Beratit. Ai akuzohet për vrasjen e dy të rinjve Arjan Avdullai dhe Eduart Pema.
Hajro në bashkëpunim me persona të tjerë, të paidentifikuar, i rrëmbyen dy të rinjtë, i torturuan me sende të forta, edhe me armë zjarri, dhe më pas i dogjën të gjallë në një garazh. Më pas, Hajro dhe anëtarët e bandës Vakëf, i kanë tërhequr zvarrë trupat e viktimave me makinë në qytetin e Beratit.
Me nisjen e hetimeve, familjet e disa prej autorëve të masakrës së ndodhur në Berat u larguan jashtë Shqipërisë nga frika e gjakmarrjes. Por prova vendimtare që siguroi prokuroria, e cila zbardhi edhe ngjarjen, ishte dëshmia e shtetasit Ronaldo Pema, vëllait të njërit prej viktimave.
Ai kishte qenë bashkë me të në momentin kur makina e autorëve ndaloi aty dhe anëtarët e bandës Vakëf me armë në kokë e detyruan të riun të hipte në mjetin e tyre për ta çuar te vendi i keqtrajtimit. Në dëshminë e tij, Ronaldo Pema tregoi me detaje se si 4 të akuzuarit keqtrajtuan dy të rinjtë, dhe më pas i lidhën, u hodhën benzinë, i dogjën, dhe më pas autorët e kësaj ngjarje makabër u larguan të qetë.