Qeveria ka miratuar dhënien me qira të një prone shtetërore në Korçë me tarifën simbolike 1 euro, në kuadër të mbështetjes për investimet strategjike në sektorin e turizmit.

Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme, 11 qershor, të Këshillit të Ministrave, i cili autorizon lidhjen e kontratës së qirasë ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe shoqërisë “Investment and Development Albania”, sh.p.k., për një sipërfaqe prej 10 mijë metrash katrorë në Bashkinë Korçë.

Prona shtetërore, e llojit “truall”, do të përdoret për ndërtimin e “Green House Korça Resort”, një projekt që parashikon ndërtimin e një hoteli luksoz me 94 dhoma, restorante, bare dhe ambiente të tjera shërbimi.

Vendimi i qeverisë bazohet në statusin “Investim/Investitor Strategjik me procedurë të veçantë”, që i është dhënë shoqërisë “Investment and Development Albania”, sh.p.k., më 1 shkurt 2023 nga Komiteti i Investimeve Strategjike.

Projekti “Green House Korça Resort” ka një vlerë të deklaruar investimi prej mbi 18 milionë eurosh dhe do të zhvillohet nga kompania “Investment and Development Albania”. Aksionerët e kompanisë janë Agim Zeqo (40%), Gerian Kuka (30%) dhe Ilir Shtufi (30%). Ky i fundit është biznesmeni që do të ndërtojë gradacelën që do të quhet “Mali i Tiranës”, e cila pritet të jetë 65 kate, 58 kate lart e 7 kate nën tokë e 185 m e lartë.